Nëse deri dje monopatinat elektrike shiheshin si një alternativë moderne për lëvizje urbane, sot ato përfaqësojnë një kaos të legalizuar, një rrezik të heshtur dhe mbi të gjitha – një dyshim të fortë për një skemë të re korrupsioni institucional në Shqipëri.
Qindra monopatina elektrike qarkullojnë lirshëm në rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera, pa u ndalur nga asnjë kontroll, pa respektuar asnjë normë të Kodit Rrugor, duke mos pasur detyrim për regjistrim, patentë, moshë minimale apo kaskë mbrojtëse. Në të vërtetë, ato nuk ekzistojnë ligjërisht në asnjë akt normativ të shtetit shqiptar.
Shteti që mbyll sytë: mungesë ligji, mungesë përgjegjësie
Në Shqipëri, sot, nuk ka asnjë nen në Kodin Rrugor që të rregullojë përdorimin e monopatinave. Ato nuk trajtohen as si mjet motorik, as si biçikletë, as si mjet urban. Janë një “hije ligjore” që qarkullon në rrugë, shpesh në kundërshtim me sinjalistikën, trotuaret, korsitë e makinave dhe madje edhe në semaforë, pa asnjë pasojë ligjore për drejtuesin.
Kujt i intereson ky boshllëk ligjor? Pse nuk rregullohet?
Në vend që të nisë një debat parlamentar mbi rregullimin e këtyre mjeteve, institucionet heshtin. Asnjë projektligj. Asnjë udhëzim. Asnjë VKM. As Policia Rrugore nuk guxon të ndalojë drejtuesit e monopatinave. Pse?
Cui prodest? Kush përfiton nga ky kaos i ligjshëm?
Burime të besueshme nga tregu informal sugjerojnë se monopatinat janë importuar nga një rreth i ngushtë operatorësh që kanë lidhje direkte me qarqe politike dhe administrative. Sasia, shpërndarja dhe toleranca që i ofrohet këtij fenomeni lënë vend për dyshime serioze se pas këtij importi qëndron një aktor politik me ndikim, që ka siguruar hyrjen e lirë të monopatinave në treg, ndërkohë që ligji hesht dhe qytetarët vuajnë pasojat.
Italia – shembulli i rregullimit që ne nuk ndjekim
Nëse hedhim sytë nga Italia, vend ku monopatinat janë të rregulluara me ligj të posaçëm që prej vitit 2020, gjejmë standarde të qarta:
• Kufizim shpejtësie në 20 km/h;
• Detyrim për kaskë për të miturit;
• Ndalim i qarkullimit në trotuar;
• Sinjalistikë, ndriçim dhe targa;
• Gjobë për shkelje dhe rrezik publik.
Në Shqipëri: asgjë nga këto nuk ekziston. Mjetet qarkullojnë pa asnjë lloj kontrolli dhe shpesh bëhen pjesë e aksidenteve fatale. Rrugët janë kthyer në terren eksperimental për një përfitim të heshtur politik dhe ekonomik.
Mosveprimi politik është bashkëfajësi
Fakti që asnjë deputet nuk ka kërkuar ndryshime ligjore, që asnjë institucion nuk ka ndërhyrë, dhe që qindra monopatina janë importuar në heshtje të plotë, është një alarm për qytetarin dhe një dënim për shtetin e së drejtës.
Në çdo vend normal, pas rasteve të aksidenteve të përsëritura do të kishte:
• Hetim për përgjegjësinë e importuesve;
• Verifikim të përfituesve realë;
• Mbledhje urgjente të komisionit të sigurisë;
• Regjistrim dhe licencim të operatorëve.
Në Shqipëri? Asgjë.
Në vend të përfundimit: Heshtja nuk është e pafajshme
Shfaqja masive e monopatinave, importi në hije, mungesa e rregullimit dhe toleranca absolute nga autoritetet, nuk janë rastësi. Kjo është një skemë e heshtur përfitimi, një formë e re e korrupsionit teknologjik, ku interesi publik sakrifikohet për përfitim elektoral apo ekonomik.
Prandaj pyesim publikisht: Kush është politikani që ka importuar monopatinat? Kush po i mbron? Dhe mbi të gjitha: kur do të japin llogari?

“Paketa e Maleve” hap aplikimet: Një mundësi e artë për njohjen e pronësisë në zonat malore

”Paketa e Maleve” hap aplikimet: Një mundësi e artë për njohjen e pronësisë në zonat malore http://gazeta-antikorrupsion.al/wp-content/uploads/2025/07/WhatsApp-Video-2025-07-23-at-09.02.22.mp4 Ka nisur faza e parë dhe më vendimtare

Read More »