KLGJ të Përjashtojë Gjyqtarët që Mbajnë Çështjet Peng për Mbi 3 Vite

Avokatët Antikorrupsion po hetojnë të gjithë gjyqtarët që nuk gjykojnë dhe lista do të bëhet publike në të ardhmen. Viktimave të kësaj drejtësie të ngrirë do t’u sugjerohet të bëjnë kallëzim penal ndaj gjyqtarëve “fantazmë”.

Në një kohë kur drejtësia shqiptare përpiqet të rindërtojë besimin publik, qytetarët përballen me një formë të re të abuzimit të heshtur: gjyqtarë që nuk shqyrtojnë asnjë çështje për më shumë se 3 vite, duke mbajtur dosjet të bllokuara pa caktuar datë gjykimi, pa dhënë vendim dhe pa dhënë llogari.

Ka çështje gjyqësore të regjistruara që prej vitit 2020 që ende nuk kanë dalë as në seancë paraprake, ndërkohë që qytetarët sorollaten në korridoret e gjykatës dhe në pritjen torturuese të një vendimi që s’vjen kurrë. Ky nuk është thjesht ngërç – është sabotim i drejtësisë nga brenda sistemit.

Në këtë ritëm të zvarritjes institucionale, vetëm për të përfunduar shkallën e dytë – Apelin – duhen mbi 8 vite, pa llogaritur kohën që merr Shkalla e Parë dhe pastaj rekursi në Gjykatën e Lartë. Pra, për të përfunduar tri shkallët e gjykimit në një proces civil apo administrativ, një qytetari mund t’i duhen mbi 10 vjet. Kjo është drejtësi që as nuk jepet, as nuk shpëton – por të fundos.

E ndërkohë, gjyqtarët që nuk trajtojnë asnjë çështje për vite të tëra vazhdojnë të përfitojnë pagë të plotë, status elitar dhe trajtim të privilegjuar nga shteti.

Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptarë (SHAASH) është duke kryer një hetim të gjerë administrativ mbi këtë fenomen, dhe ka nisur grumbullimin e të dhënave zyrtare për të gjithë gjyqtarët që nuk kanë shqyrtuar asnjë çështje për më shumë se 36 muaj. Lista do të bëhet publike në të ardhmen e afërt, dhe çdo qytetar që është viktimë e kësaj zvarritjeje do të njoftohet dhe do të sugjerohet të bëjë kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj gjyqtarëve inaktivë, që kanë trajtuar drejtësinë si mall të ngrirë.

KLGJ nuk mund të heshtë më. Ja çfarë duhet të ndodhë urgjentisht:

  1. Verifikimi dhe publikimi i listës së gjyqtarëve që nuk kanë trajtuar asnjë çështje për më shumë se 18 muaj.
  2. Fillimi i procedurave të përjashtimit nga sistemi për gjyqtarët që kanë mbajtur çështje peng për 3 vite ose më shumë.
  3. Vendosja me ligj e një afati të detyrueshëm për shqyrtimin e çështjeve, ku tejkalimi përtej 24 muajve pa vendim të konsiderohet shkelje e rëndë.
  4. Audit financiar për efikasitetin real të çdo gjyqtari në raport me pagën dhe volumin e çështjeve të zgjidhura.

Drejtësia që vonon është drejtësi që mohon.
Gjyqtarët që nuk gjykojnë nuk janë më garantë të ligjit – janë autorë të padrejtësisë me duar të pastra. Nëse KLGJ nuk vepron tani, bëhet bashkëpërgjegjës. Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion nuk do të ndalet derisa kjo kategori funksionarësh të dalë në dritë dhe të përballet me pasojat e mosveprimit të tyre.