Ligji 7501 dhe pasojat e tij: një padrejtësi e legalizuar që vijon të prodhojë kaos

Në vitin 1991, në një nga momentet më delikate të tranzicionit shqiptar, u miratua ligji nr. 7501, “Për tokën”. Ky ligj, që në thelb synonte shpërndarjen e tokës bujqësore në mënyrë të barabartë ndërmjet anëtarëve të familjeve fshatare, u promovua si një akt demokratik që do të rivendoste drejtësinë pas dekadave të kolektivizimit komunist. Por realiteti i sotëm dëshmon të kundërtën: ligji 7501 është kthyer në një nga burimet më të mëdha të konflikteve për pronësinë në Shqipëri, një legjislacion i papërgjegjshëm, pasojat e të cilit i vuajnë mijëra qytetarë çdo ditë.

Ky ligj, miratuar gjatë kohës së qeverisjes së Sali Berishës, në vend që të sillte zgjidhje, prodhoi padrejtësi masive dhe konfuzion juridik. Shpërndarja e tokës u bë në mënyrë të përgjithshme, pa asnjë shqyrtim të titujve të mëparshëm të pronësisë, duke injoruar kategorikisht të drejtën legjitime të ish-pronarëve. Ky veprim solli një përplasje të dhunshme mes të drejtës së re dhe të drejtës historike, që asnjë reformë e mëvonshme nuk ka arritur ta zgjidhë.

Sot, më shumë se tre dekada më pas, trashëgimia e ligjit 7501 është e dukshme në çdo hallkë të administratës së pasurive të paluajtshme. Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK), një institucion që duhet të ishte zgjidhës i konfliktit, është kthyer në një nyje bllokuese. Proceset e regjistrimit janë të zvarritura, shpesh të pambështetura në fakte dhe prova ligjore, me praktika online që nuk funksionojnë realisht dhe me një burokraci të ngatërruar që u ngjan më shumë labirinteve të absurdit.

Qytetarët që përpiqen të regjistrojnë pronën e tyre përballen me pafundësi dokumentesh, pagesash, urdhrash kthimi, pasaktësi të referencave hartografike dhe mbi të gjitha me një administratë e cila shpeshherë është e painteresuar, e paarsimuar ligjërisht dhe thellësisht e injorante ndaj ligjit dhe të drejtës. Një qytetar që kërkon të regjistrojë pronën e tij, shpesh përballet me një përgjigje të thjeshtë: “Prisni, do t’ju njoftojmë”, përgjigje që nuk vjen kurrë.

Ndërkohë, institucionet vazhdojnë të kërkojnë pagesa për çdo lëvizje, duke kthyer procesin e regjistrimit në një rrugë të gjatë torturuese dhe abuzive. Në shumë raste, qytetarët dorëzohen ose detyrohen të hyjnë në procese gjyqësore që zgjasin me vite, ndërkohë që prona mbetet “në ajër” – as e përdorshme, as e mbrojtur ligjërisht.

Ligji 7501 nuk ishte një gabim teknik, por një zgjedhje politike që injoroi thellësisht historinë e pronës në Shqipëri. Duke mohuar titujt e vjetër, ai legjitimoi padrejtësinë. Duke shpërndarë tokën si plaçkë mes fshatrash, prodhoi armiqësi dhe zaptime që vijojnë edhe sot. Dhe mbi të gjitha, ky ligj hapi një plagë që ende nuk është mbyllur, duke bërë që çdo përpjekje për reformim të sistemit të pronësisë të dështojë.

Sot, Shqipëria ka nevojë urgjente për një vendimmarrje të guximshme: jo thjesht për të reformuar sistemin e ASHK-së apo për të bërë rregullime teknike në bazat e të dhënave, por për të ndërmarrë një analizë të thellë kushtetuese dhe historike mbi ligjin 7501 dhe për të vlerësuar seriozisht mundësinë e rishikimit apo shfuqizimit të efekteve të tij. Sepse nuk ka drejtësi sociale që mund të ndërtohet mbi padrejtësinë historike.

Nëse Shqipëria kërkon të jetë shtet ligjor, nuk mund të ndërtojë themele mbi legalizimin e grabitjes së pronës. Dhe nëse drejtësia do të ketë ndonjëherë kuptim real për qytetarët, ajo duhet të nisë pikërisht aty ku u mohua: në rikthimin e të drejtës legjitime të pronës. Çdo ditë që kalon pa këtë reflektim, është një ditë më shumë padrejtësi e trashëguar.