Hija e heshtur e sekteve në Shqipëri: një front i ri për mbrojtësit e të drejtave dhe të drejtësisë

Nga Ermira Qerimi Kondo, gazetare e pavarur investiguese dhe aktiviste për të drejtat e njeriut

Në Shqipëri, ndërsa lufta kundër korrupsionit mbetet një nga betejat qendrore të shoqërisë civile, një plagë tjetër – më e heshtur, por po aq e rrezikshme – po zgjerohet në heshtje: devijimet sektare.
Për shumë kohë të shpërfillura ose të minimizuara, këto fenomene përbëjnë sot një kërcënim real ndaj shëndetit mendor, kohezionit social dhe vetë të drejtave themelore të njeriut.

Pas një bashkëpunimi të ngushtë me avokatin Ndue Pjetra, çështja e sekteve ka hyrë tashmë në agjendën e Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion që ai drejton, duke u kthyer në një kauzë të re për mbrojtjen e integritetit mendor dhe lirisë së individit.
Krah për krah me këtë jurist me përvojë, është hapur një betejë e re në Ballkanin Perëndimor: ajo e rezistencës kundër kontrollit mendor dhe manipulimit psikologjik.

  1. Një përhapje aq e heshtur sa shqetësuese

Në dhjetëvjeçarin e fundit, Shqipëria dhe rajoni kanë njohur një rritje të grupeve me karakter pseudo-fetar, mistik, terapeutik apo “spiritual”, të cilat shfrytëzojnë boshllëqet sociale, ekonomike dhe identitare.
Këto grupe veprojnë sidomos në:

  • zonat rurale të braktisura nga shteti,
  • rrjetet sociale dhe platformat e komunikimit masiv,
  • komunitetet emigrante në kërkim të identitetit dhe përkatësisë.

Shënjestra e tyre janë individë të cenueshëm:

  • të rinj të vetmuar ose në krizë identiteti,
  • persona me sëmundje kronike në kërkim të “mrekullive”,
  • gra në izolim social,
  • persona që përballen me vuajtje psikologjike.

Shqipëria, për fat të keq, nuk ka ende një kuadër të posaçëm ligjor për të identifikuar, parandaluar apo ndëshkuar praktikat sektare që ushtrojnë kontroll mendor, shpesh me pasoja shkatërruese.

  1. Trashëgimia e një boshllëku shpirtëror pas diktaturës

Nën regjimin e Enver Hoxhës, Shqipëria ishte i vetmi shtet në botë që institucionalizoi ateizmin dhe ndaloi çdo shprehje të besimit fetar për gati 50 vjet.
Ky ndërprerje e dhunshme la pas një traumë kolektive dhe një boshllëk shpirtëror që sot është lehtësisht i mbushshëm nga ideologji alternative, shpesh manipuluese.

Pa trashëgimi shpirtërore dhe pa mjete për të dalluar mes një besimi të sinqertë dhe një forme kontrolli psikologjik, qytetarët, sidomos të rinjtë, janë lehtësisht të manipulueshëm.
Në këtë zbrazëti, sektet shfaqen me gjuhë mashtruese, duke ndërtuar skema të kontrollit total të mendjes, të sjelljes dhe të pasurisë së ndjekësve të tyre.

  1. Pse një shoqatë avokatësh angazhohet në këtë fushë?

“Korrupsioni shkatërron institucionet. Sektet shkatërrojnë mendjen.”

Kjo është arsyeja që ka shtyrë avokatin Ndue Pjetra, themelues i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion dhe i Akademisë së Detektivëve Privatë në Ballkan, të zgjerojë fushën e veprimit të tij edhe në mbrojtjen kundër sekteve.
Korrupsioni dhe sektet ndajnë të njëjtin mekanizëm të errët: shfrytëzimin e dobësive njerëzore, manipulimin e besimit dhe mungesën e llogaridhënies.

Shoqata ka vendosur që:

  • të trajtojë juridikisht çështjet e kontrollit psikologjik si shkelje të të drejtave themelore,
  • të mbrojë viktimat që heshtin nga frika ose nga mungesa e kuptimit të asaj që po përjetojnë,
  • të ngrejë kauzën për njohjen ligjore të manipulimit mendor si formë dhune ndaj individit.
  1. Drejt një strategjie kombëtare: për një “MIVILUDES” shqiptare

Franca është ndër vendet e para që ka krijuar një strukturë ndërinstitucionale kundër devijimeve sektare – MIVILUDES. Ky model mund të shërbejë si frymëzim edhe për Shqipërinë, ku mungesa e strukturave ligjore dhe mbështetëse lejon përhapjen e fenomeneve sektare në mënyrë të pandëshkuar.

Propozimet konkrete për Shqipërinë përfshijnë:

  • Krijimin e një organi kombëtar të pavarur për monitorimin e grupeve sektare,
  • Përfshirjen e “kontrollit mendor” si vepër penale në Kodin Penal,
  • Trajnime të specializuara për gjyqtarë, avokatë, psikologë dhe punonjës policie,
  • Fushata edukimi për zhvillimin e mendimit kritik që nga arsimi parauniversitar,
  • Ndihmë të integruar psikologjike, sociale dhe ligjore për viktimat.
  1. Një aleancë rajonale, një përgjegjësi evropiane

Lidhja e Shoqatës shqiptare me GEMPPI (Grupi i Studimeve mbi Lëvizjet e Mendimit për Mbrojtjen e Individit) dhe FECRIS (Federata Evropiane e Qendrave të Kërkimit mbi Sektarizmin) përbën një hap të rëndësishëm për të përfshirë Shqipërinë në rrjetet ndërkombëtare të vigjilencës dhe parandalimit.

Kjo aleancë i ofron vendit një kornizë ekspertize dhe mbështetjeje për ndërtimin e politikave kombëtare dhe rajonale për mbrojtjen e individit ndaj manipulimit mendor.

 Përfundim: një emergjencë njerëzore, një detyrë demokratike

Në një shoqëri post-totalitare ende të brishtë, drejtësia nuk mund të kufizohet vetëm në ndëshkimin e korrupsionit. Ajo duhet të shkojë më tej – të mbrojë liritë e padukshme: të menduarit, të besuarit, të zgjedhurit dhe të refuzuarit.

Lufta kundër sekteve është një sfidë demokratike e shekullit XXI. Ajo ndodhet në ndërthurjen e të drejtave të njeriut, të shëndetit mendor, të lirisë fetare dhe të integritetit personal.

Vetëm duke bashkuar forcat – juristë, gazetarë, psikologë, qytetarë të ndjeshëm – mund të ndërtojmë një hapësirë publike të lirë nga manipulimi, ku e vërteta të mos fshihet më pas një maske.

Sepse kontrolli mendor është gjithmonë i heshtur. E vërteta, gjithmonë ka fytyrë.