Nga një vegël politike, në një rrezik për vetë politikën që i krijoi.
Pas më shumë se 6 vitesh spastrim të sistemit të drejtësisë, disa prej ish-anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) po kthehen sot në kërcënim të hapur për klasën politike që i zgjodhi, i përdori dhe tani i ka lënë në harresë.

Burime të shumta konfidenciale konfirmojnë se ish-anëtarë të trupave të vetingut kanë nisur një ofensivë të heshtur për rikthim në sistem si “gjyqtarë me status të plotë”, nën kërcënimin se nëse nuk përfitojnë imunitet institucional, do të bëjnë publike porositë politike që morën gjatë mandatit të tyre.

Kur gjuetarët kthehen në dëshmitarë

Procesi i vetingut – i promovuar si revolucion anti-korrupsion – u shndërrua, në pjesën më të madhe, në një mjet të pastrimit politik të drejtësisë, veçanërisht ndaj trupës gjyqësore e prokuroriale të Veriut të Shqipërisë. Rreth 90% e gjyqtarëve dhe prokurorëve me origjinë nga veriu u shkarkuan, pavarësisht se shumë prej tyre kishin pasuri të justifikuara dhe integritet profesional, thjesht sepse nuk u bindën ndaj urdhrave politikë.

Në anën tjetër, figura të lidhura me pushtetin, me dosje të rënda pasurie, lidhje të dokumentuara me politikanë dhe aktorë informalë të drejtësisë, kaluan vetingun me “sukses”. Kjo nuk ndodhi rastësisht.

Urdhrat nga “lart”: Kush i dha, kush i zbatoi

Sot, këta ish-komisionerë të vetingut kërkojnë statusin e gjyqtarit dhe garanci imuniteti. Nëse nuk e marrin atë, ata kërcënojnë të flasin publikisht për listat e zeza, ndërhyrjet nga figura të larta të qeverisë, ambasadave dhe aktorëve të errët që dirigjuan vendimet e vetingut.
Nga dosjet që ata disponojnë, del se shumë vendime u diktuan me SMS dhe e-mail, ku individë specifikë duhej të “hiqeshin qafe”, ndërsa të tjerë “duhej të shpëtonin, pavarësisht gjithçkaje”.

Rikthim ose zbardhje e prapaskenave?

Kjo nuk është vetëm një krizë e sistemit të drejtësisë, por një krizë e besimit ndaj gjithë procesit të reformës në drejtësi, e mbështetur me miliona euro nga Bashkimi Evropian dhe SHBA. Nëse këto akuza shpërthejnë publikisht, do të nxirret në dritë jo vetëm dështimi i reformës, por edhe manipulimi i saj për interesa politike dhe personale.

Një pyetje për qeverinë: Do heshtni, apo do shpërbleheni?

Ish-anëtarët e vetingut nuk janë më as të dobët dhe as të varur. Ata kanë dosje, kujtesë, kontakte dhe një motiv të fortë: të mos mbeten viktima të radhës të një pushteti që i përdor e më pas i hedh. Pyetja që ngrihet sot është: Do t’i japë politika statusin që kërkojnë, apo do përballet me zbardhjen e të vërtetave që kanë frikë t’i dëgjojnë edhe ndërkombëtarët?

 Kur veglat e pushtetit kthehen në zëra të lirë, politika s’mund të bëjë më sikur s’po dëgjon. Sepse ajo që vjen, s’është më veting. Është vetëgjyqësi e sistemit ndaj vetes.