Skandal në Gjykatat e Apelit: Qytetarët presin mbi 5 orë për një seancë gjyqësore

Zvarritje zinxhir, mungesë transparence dhe një sistem që prodhon padrejtësi në heshtje

Tiranë – Më shumë se 5 orë pritje për një seancë gjyqësore në Gjykatën e Apelit! Ky nuk është një rast i izoluar, por një simptomë e një sëmundjeje kronike që ka kapluar sistemin gjyqësor shqiptar: zvarritja zinxhir dhe mungesa e respektit institucional ndaj kohës dhe dinjitetit të qytetarit.

Prej orës 09:00 të mëngjesit, palë të interesuara, avokatë dhe qytetarë prisnin të thirreshin për shqyrtimin e çështjeve të tyre. Disa dolën nga salla pas orës 14:00, pa marrë një përgjigje përfundimtare, pa një justifikim zyrtar për vonesën, pa asnjë sqarim për arsyet e zvarritjes. Gjyqtarët vijnë me vonesë, sekretaritë nuk japin informacion, ndërsa kalendari gjyqësor duket se është një orar fiktiv që nuk ka lidhje me realitetin.

Kjo situatë nuk është thjesht e lodhshme, por edhe e paligjshme. Kodi i Procedurës Civile parashikon zhvillimin e gjykimeve pa vonesa të pajustifikuara dhe në respekt të parimit të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut garantojnë të drejtën për një proces të rregullt dhe gjykim të drejtë. Por për qytetarin shqiptar, këto mbeten letra pa vlerë.

Avokatët shprehen të indinjuar për situatën: “Nuk mund të justifikohet një seancë që parashikohet për orën 10:00 dhe zhvillohet pas orës 15:00. Kjo është mungesë totale respekti ndaj profesioneve ligjore dhe ndaj vetë rendit gjyqësor.”

Zvarritjet e tilla shkaktojnë pasoja reale: çështje që mbyllen pa u shqyrtuar në themel, afate që humbasin, dëshmi që zbehen, e mbi të gjitha – humbje besimi ndaj drejtësisë. Një drejtësi që vjen me vonesë, në fakt nuk vjen fare.

Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptarë (SH.A.A.SH.) ka kërkuar vazhdimisht një rishikim të mekanizmave të menaxhimit të gjykatave, duke propozuar masa konkrete si përdorimi i gjyqtarëve honorarë, forcimi i përgjegjësisë disiplinore dhe vendosja e monitorimit elektronik të orarit të gjyqtarëve.

Por deri atëherë, qytetari shqiptar do të vazhdojë të qëndrojë në korridoret e drejtësisë – në këmbë, në pritje dhe në heshtje.

Rast konkret që trondit ndërgjegjen publike

Në mesin e shumë qytetarëve që prisnin për orë të tëra, ishte edhe zonja R.E., një shtetase shqiptare që kishte udhëtuar posaçërisht nga Italia për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për një çështje demshpërblimi që ajo po ndjek prej vitesh.

Seanca ishte planifikuar për orën 10:00 të mëngjesit, por pa asnjë njoftim, ajo u shty në mënyrë arbitrare dhe u zhvillua vetëm pas orës 15:00. Për shkak të këtij vonimi, qytetarja humbi avionin e kthimit për në Itali, duke pësuar kosto të drejtpërdrejta financiare dhe tronditje emocionale.

“U ndjeva e përdorur dhe e braktisur nga vetë shteti im. Kam ardhur me shpresë se drejtësia do të dëgjonte zërin tim, por më përballën me një mur heshtjeje dhe përçmimi”, – deklaroi zonja R.E. për përfaqësues të Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion.

Ky rast nuk është i vetmi, por është shembulli ideal që ilustron pasojat reale të zvarritjes sistematike, të mungesës së llogaridhënies dhe të një sistemi që ndëshkon qytetarin edhe kur ai kërkon të drejtën e vet.