Tiranë, Maj 2025 – Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptarë (SH.A.A.SH.) i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Ministrisë së Drejtësisë, duke propozuar një zgjidhje të menjëhershme dhe praktike për krizën e stokut të çështjeve gjyqësore në vend: caktimin e gjyqtarëve honorarë me mandat 3-vjeçar.

Në një deklaratë publike, Shoqata thekson se sistemi gjyqësor është në gjendje bllokimi, me mijëra çështje të pazgjidhura në të gjitha nivelet – nga gjykatat e rrethit deri në gjykatat e apelit dhe administrative.
Drejtësia po zvarritet, qytetarët janë viktima të vonesave sistematike dhe besimi në gjykata po gërryhet çdo ditë. Kjo situatë kërkon veprim të menjehershëm, jo konferenca dhe raporte boshe“, thuhet në reagimin e SH.A.A.SH.

Çfarë propozon Shoqata?

SH.A.A.SH. ka paraqitur idenë për krijimin e një trupe të përkohshme të gjyqtarëve honorarë, të përbërë nga juristë me eksperiencë mbi 10 vite (avokatë, pedagogë, ish-prokurorë apo juristë të administratës publike), të cilët:

  • Do të caktohen për mandat 3-vjeçar, nëpërmjet përzgjedhjes transparente dhe me mbikëqyrje të KLGJ;
  • Do të trajtojnë çështje të natyrës së thjeshtë, ku nuk kërkohet vlerësim i thelluar gjyqësor ose që janë penguar vetëm për mungesë burimesh njerëzore;
  • Nuk do të zëvendësojnë gjyqtarët e karrierës, por do të veprojnë paralelisht si strukturë ndihmëse për përballimin e stokut emergjent.

Fushat ku mund të veprojnë gjyqtarët honorarë

Sipas propozimit, gjyqtarët honorarë do të përqendrohen në:

  • Çështje civile të tilla si: pasuri të paluajtshme, detyrime kontraktore, qira, kujdestari dhe prindërim.
  • Çështje penale me rrezikshmëri të ulët: kundërvajtje, raste të pranuara nga i pandehuri, mungesë kontestimi.
  • Çështje administrative: kthimi dhe kompensimi i pronës me dokumentacion të plotë, vendimmarrje që nuk prekin interesin publik.

Zhbllokim pa reforma të rënda

Ky nuk është një apel për reformë, është një thirrje për zgjidhje konkrete. Ne nuk kërkojmë ndryshim të Kushtetutës, por vendime praktike që mund të merren brenda kompetencave të KLGJ dhe Ministrisë së Drejtësisë”, thekson Av. Ndue Pjetra, kryetar i SH.A.A.SH.

Shoqata shton se kjo nismë nuk do të rëndojë buxhetin shtetëror, pasi:

  • Gjyqtarët honorarë do të paguhen vetëm për çështjet e trajtuara;
  • Mandati i tyre do të jetë i kufizuar dhe i kontrolluar;
  • Sistemi do të përfitojë një frymëmarrje të nevojshme në mënyrë të përkohshme deri në plotësimin me gjyqtarë të karrierës.

Thirrje për reagim institucional

SH.A.A.SH. i kërkon:

  • KLGJ-së: të hartojë aktet nënligjore për përzgjedhjen dhe mbikëqyrjen e gjyqtarëve honorarë;
  • Ministrisë së Drejtësisë: të propozojë ndryshimet e nevojshme ligjore dhe buxhetore;
  • Kuvendit të Shqipërisë: të mbështesë institucionalisht këtë nismë si pjesë e reformës për rikthimin e besimit në drejtësi.

Drejtësia nuk mund të presë

Në fund të shkresës zyrtare, Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion e mbyll me një thirrje të fortë:
“Drejtësia nuk ka nevojë për retorikë. Ka nevojë për vendime. Dhe vendimi për të futur gjyqtarë honorarë në sistem është një nga më të mençurit dhe më të zbatueshmit sot.”