KRIMINALITETI I KORPORATAVE, Afera e inceneratorëve dhe afera e ndërtimit të portit të jahteve në Durrës.

Magjistër Shkëlqim Kokona

KORRUPSIONI NË ADMINISTRATËN E LARTË SHTETËRORE

Në doktrinën e kriminologjisë moderne, vend të veçantë zë korrupsioni dhe krimet e korporatave. Për herë të parë, këto fenomene u studiuan nga babai i kriminologjisë moderne, studiuesi amerikan Edwin Sutherland. Ky kriminolog i madh, i përmasave të Lombrozos në këtë fushë, identifikoi krimet e “jakave të bardha”, ose ndryshe korrupsionin.

Këtë lloj të veçantë kriminaliteti e dallojnë disa tipare kryesore:

  1. Kryhet nga subjekte me pozita të larta sociale, administrative dhe politike.
  2. Këta persona përdorin procedurën administrative për të arritur përfitime pasurore, ashtu si një vrasës i zakonshëm përdor pistoletën ose thikën për të vrarë viktimën.

Me veprimet ose mosveprimet e tyre kriminale, këto subjekte kundërshtojnë hapur sistemin ekonomik dhe politik, duke u bërë një rrezik potencial për ekonominë e tregut dhe shoqërinë në përgjithësi.

Arrestimi i figurave të larta të administratës shtetërore, si deputetë, ministra dhe sekretarë të përgjithshëm, tregon se shkalla e korrupsionit në këtë qeverisje është endemike dhe përbën një rrezik kombëtar për vendin dhe qytetarët. Zakonisht, këtë lloj kriminaliteti e luftojnë organet gjyqësore dhe prokuroritë, por situata në vendin tonë është aq e rënduar saqë kërkon një zgjidhje politike dhe një rrotacion qeverisës. Është detyrë e opozitës të provokojë zgjedhje të parakohshme në një situatë ku i vetmi zyrtar i lartë i painkriminuar mbetet kryeministri. Megjithëse ndaj tij nuk ka një bazë për “impeachment”, ai ka përgjegjësinë politike për këtë situatë dhe duhet t’i hapë rrugë ndryshimeve për të përmirësuar gjendjen.

Rasti i sanitares dhe vjedhjes së gjysmë milioni eurove në banesën e një zyrtareje të lartë të financave tregon shkallën e inkriminimit në administratën e lartë dhe korrupsionin galopant që pengon zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e kushteve ekonomike në vend. Mendoj se presidenti i Republikës duhet të thërrasë një mbledhje të posaçme të Këshillit të Sigurimit Kombëtar për të analizuar shkallën e korrupsionit dhe për të vendosur detyra konkrete për organet e drejtësisë dhe ato ligjzbatuese në luftën kundër këtij lloj kriminaliteti.

 

KRIMINALITETI I KORPORATAVE

Në këtë artikull do të trajtoj dy nga aferat më të mëdha financiare të periudhës së demokracisë në Shqipëri.

  1. Afera e parë lidhet me inceneratorët, një çështje që, sipas hetimit të kryer nga SPAK, nuk është një akuzë boshe politike, por një realitet, pasi janë arrestuar një ish-ministër i partisë në pushtet dhe një deputet për lidhjet e tyre me këtë aferë kriminale.

Afera e dytë është makro dhe lidhet me ndërtimin e portit të jahteve në Durrës. Kjo çështje është aktualisht një akuzë politike dhe mediatike, ku opozita pretendon se përbën një krim financiar në të cilin është përfshirë vetë kryeministri.

Duke iu referuar kriminologut të shquar amerikan John Hagan, kriminologjia moderne e konsideron kriminalitetin e korporatave si një nga format më ekstensive dhe të rrezikshme të krimit në shoqëritë e ekonomisë së tregut. Një studim i viteve ’70 në SHBA tregoi se krimi i korporatave është shumë i përhapur dhe përfshin shkelje të shumta të ligjit, veçanërisht në fushën e mashtrimeve financiare dhe krimeve kundër mjedisit.

Të dyja aferat e sipërpërmendura kanë të bëjnë me investime miliona eurosh dhe vjedhje që kanë ndodhur në bashkëpunim me korporata shumëkombëshe. Në praktikën e biznesit të korporatave shumëkombëshe amerikane, është vërtetuar se këto kompani përfshijnë në planet e tyre të investimit një shumë të caktuar ryshfeti për zyrtarët qeveritarë të vendeve ku bëjnë investime, kryesisht në shfrytëzimin e pasurive minerare në vendet e Afrikës dhe ato në zhvillim. Këto shuma ryshfeti shpesh arrijnë në miliona dollarë dhe shpërndahen si “dhurata” për presidentët ose kryeministrat e këtyre vendeve.

Nuk duhet ta trajtojmë këtë problem bardh e zi, duke bërë deklarata të thjeshta politike se kemi të bëjmë me një aferë kriminale të qartë dhe duke akuzuar kryeministrin për përfshirje në veprimtari kriminale. Nga pikëpamja ekonomike, çdo investim është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare, dhe ndërtimi i portit të Durrësit duhet të konsiderohet një projekt që sjell zhvillim ekonomik. Ky investim pritet të sjellë rreth tre miliardë euro për ekonominë shqiptare.

Në biznes dhe në ekonominë e tregut, nuk ka dollarë “të pistë” ose “kriminalë”. Çdo fitim është i bardhë dhe i dobishëm, pavarësisht nga burimi i tij. Megjithatë, në gazetarinë investigative dhe në studimet mbi mafian përdoren konceptet e “parave të pista” dhe “pastrimit të parave”, të cilat trajtohen edhe në kriminologjinë moderne.

Afera e kapjes dhe arrestimit të një grupi mafioz për trafikimin e 450 kilogramëve kokainë të përzier me pleh artificial, që po hetohet nga Byroja Kombëtare e Hetimit, ka nxjerrë në pah një të vërtetë alarmante.

I dyshuari kryesor për financimin e këtij trafiku është një biznesmen ndërtimi, çka përforcon akuzat e ngritura në shtypin vendas se pas industrisë së ndërtimit në Tiranë fshihet krimi i organizuar dhe mafia shqiptare, e cila ka lidhje të ngushta me trafikun ndërkombëtar të narkotikëve që vijnë nga Kolumbia.