Më datë 24 Korrik 2013, në orën 13:00, një grup nismëtarësh themeluan Shoqatën e Avokatëve Antikorrupsion. Në këtë mbledhje themeluese ishin të pranishëm intelektualët: Ndue Pjetra, Suarda Dalipi, Flovian Musta, Ledia Hasanaj, Genti Ahmataj, Suzana Skeja, Besar Kali dhe Lediana Doku. Më poshtë po paraqesim të plotë procesverbalin e kësaj mbledhjeje.

HAPJA E MBLEDHJES

Sot, më datë 24 Korrik 2013, ora 13:00, ne, pjesëmarrësit e sipërcituar, shpallim të hapur Mbledhjen e Parë dhe mbajmë procesverbalin përkatës, i cili pasqyron vendimet e marra në këtë mbledhje.

THEMELIMI

Në procesverbalin e mbledhjes së parë thuhet:
“Ne, pjesëmarrësit: Ndue Pjetra, Suarda Dalipi, Flovian Musta, Ledia Hasanaj, Genti Ahmataj, Suzana Skeja, Besar Kali dhe Lediana Doku, në cilësinë e anëtarëve themelues, kemi menduar të krijojmë një Organizatë Jofitimprurëse. Për këtë arsye, ne, anëtarët themelues, madhorë dhe me zotësi të plotë juridike për të vepruar, me vullnet të lirë e të plotë, së bashku vendosëm:
Themelimin e Organizatës Jofitimprurëse “Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare”, me siglën “SH.A.A.SH.”, si dhe hartimin dhe miratimin e Aktit të Themelimit dhe Statutit të Organizatës Jofitimprurëse.”

Në vijim të mbledhjes së parë, ne, anëtarët themelues, hartuam dhe miratuam Aktin Themelues dhe Statutin e Shoqatës “Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare” (SH.A.A.SH.).

Në pikat kryesore të Aktit të Themelimit dhe Statutit janë:

KRIJIMI DHE BAZA LIGJORE

SH.A.A.SH. do të jetë një organizatë jofitimprurëse me anëtarësi, e pavarur, joqeveritare dhe jopolitike, e krijuar me vullnet të lirë nga themeluesit e saj. Nuk ka qëllime fitimi dhe është e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që punojnë për realizimin e objektivave të saj. Ajo do të funksionojë në përputhje me:

  • Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë
  • Ligjin Nr. 8788, Datë: 07. 05. 2001 “Për Organizatat Jofitimprurëse” (i ndryshuar)
  • Aktin e Themelimit
  • Statutin e Shoqatës
  • Legjislacionin në fuqi

ELIMINIMI I GABIMEVE DHE RRITJA E DIVERSITETIT

a) Nxitja e pjesëmarrjes së plotë dhe të barabartë në:

  • Profesionin e juristit
  • Sistemin e drejtësisë për të gjithë individët
    b) Eliminimi i njëanshmërisë në profesionin ligjor dhe në sistemin e drejtësisë

AVANCIMI I SUNDIMIT TË LIGJIT

a) Rritja e ndërgjegjësimit publik për ligjin
b) Respektimi i sundimit të ligjit dhe të procesit ligjor
c) Roli i profesionit ligjor në vend dhe në botë
d) Të mbajë qeverinë të përgjegjshme në bazë të ligjit
e) Të mbështesë ligjin, përfshirë të drejtat e njeriut dhe një proces të rregullt ligjor
f) Sigurimi i qasjes efektive në drejtësi për të gjithë
g) Ruajtja e pavarësisë së profesionit ligjor dhe gjyqësor
h) Denoncimi i rasteve korruptive dhe i shkeljeve të procedurave ligjore

Shoqata ushtron aktivitetin e saj duke respektuar përkatësitë politike, fetare, gjinore, kulturore, racore dhe kombëtare.
Ajo nuk ndjek qëllime propagandistike, politike apo fetare dhe vepron në mënyrë të pavarur nga interesat politike dhe shtetërore.

FINANCIMI DHE BURIMET E TË ARDHURAVE

Burimet e të ardhurave të SH.A.A.SH. do të jenë:
a) Kuotizacionet e anëtarëve – 5,000 lekë në vit për çdo anëtar
b) Tarifat e pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshme
c) Grante, sponsorizime apo dhurata
d) Donacione nga institucione qeveritare dhe joqeveritare
e) Kontribute vullnetare nga anëtarët
f) Të ardhura të tjera në përputhje me ligjin

Të gjitha fitimet e realizuara nga veprimtaria e SH.A.A.SH. do të përdoren ekskluzivisht për realizimin e objektivave të Shoqatës, në përputhje me qëllimin e saj. Shpërndarja e fitimeve është e ndaluar.

ANËTARËSIA

SH.A.A.SH. është e hapur për:
a) Juristë dhe avokatë profesionistë
b) Individë të profesioneve të ndryshme që kanë njohuri dhe/ose interes për ligjet

Anëtarësia nuk mund të tjetërsohet dhe as të kalohet me trashëgimi. Kushtet e anëtarësisë përcaktohen në statut. Kuota e anëtarësimit është 5,000 lekë.

ORGANET DREJTUESE

Organi më i lartë vendimmarrës i Shoqatës është Asambleja e Përgjithshme, e cila zgjedh për një mandat 4-vjeçar Bordin Drejtues, i cili përbëhet nga:

  • Kryetari
  • Nënkryetari
  • Sekretari
  • Financieri
  • Një anëtar i plotë

Në këtë Mbledhje të Parë, u krijua Bordi Drejtues, i përbërë nga:

  • Ndue Pjetra
  • Ledia Hasanaj
  • Suarda Dalipi
  • Flovian Musta
  • Besar Kali

Bordi Drejtues, pas votimit të fshehtë, zgjodhi:

  • Kryetar të ShoqatësAv. Ndue Pjetra
  • Nënkryetare të Shoqatës dhe të Bordit DrejtuesAv. Ledia Hasanaj

Organet e tjera ekzekutive të SH.A.A.SH. janë:
a) Bordi Mbikëqyrës Financiar
b) Kryetari
c) Nënkryetari

Personi i autorizuar me të drejta të plota për depozitimin e kërkesës dhe dokumentacionit për regjistrimin e shoqatës pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë do të jetë Nënkryetarja Ledia Hasanaj.

Të gjitha këto janë të përfshira në procesverbalin e mbledhjes së parë të themelimit të kësaj shoqate.