Benito-Mussolini

25 Korrik – Përvjetori i Rënies së Duce-s dhe Gjykimit të Drejtësisë së Zaptuar

Më 25 korrik 1943, një regjim që kishte ngritur vetveten në majat e propagandës dhe arrogancës u përmbys në mënyrën më të heshtur dhe më të turpshme: nga të vetët. Benito Mussolini, i vetëshpallur si Duce i Italisë, u shkarkua nga Këshilli i Madh i Fashizmit dhe u arrestua me urdhër të Mbretit Vittorio Emanuele III. Nuk pati lëvizje popullore, as rebelim spontan, por një vendim i ftohtë nga një sistem që po e kuptonte se po fundosej me gjithë mitin e tij. Kjo datë mbetet një gur kujtese për të kuptuar sesi funksionon një pushtet kur ai shemb të gjitha digat që ndajnë shtetin nga individi, drejtësinë nga urdhri dhe qytetarin nga propaganda.

Fashizmi italian nuk ishte thjesht një ideologji politike e dhunshme dhe nacionaliste. Ai ishte një projekt total për të rimodeluar njeriun dhe shtetin sipas një rregulli të hekurt: një popull – një udhëheqës – një e vërtetë. Kjo nuk prodhoi vetëm luftëra koloniale dhe ligje racore. Provoi një deformim të plotë të institucioneve, duke i zhbërë ato si garantë të lirive dhe duke i kthyer në instrumente shërbimi ndaj një vullneti të vetëm. Drejtësia, që në letër mbetej e pavarur, në praktikë ishte një skenografi e manipuluar. Gjyqtarët nuk ishin më interpretues të ligjit, por notues të kujdesshëm në ujërat e paqarta të favoreve politike.

Në sistemin gjyqësor fashist, dënimi nuk buronte nga fakti penal, por nga përkatësia ideologjike. Mjaftonte të flisje me sarkazëm për një slogan partiak, të lexojë një libër të gabuar apo të refuzoje të marrësh pjesë në një marshim dhe gjykimi vinte si një ceremonial i pashmangshëm, ku shpesh verdikti dihej më parë. Shprehje si “qëndrim mosmirënjohës ndaj përpjekjes së shtetit” apo “qasje dekadente” ndaj jetës shoqërore, ishin të mjaftueshme për të burgosur një mësues, një grua të pavarur apo një punëtor që ngre dyshime për mungesën e bukës. Nuk kishte nevojë për prova, sepse e vërteta ishte ajo që i shërbente kauzës.

Favoritizmi ndërkohë zhvillohej jo nëpërmjet konkurrencës, por me rekomandime të heshtura, afrime ndaj strukturave të Partisë apo nënshtrime të shënuara me fjalë publike. Në këtë sistem, drejtësia u bë thjesht një organ i njëanshëm: arrestonte për qëndrime, për dyshime, për stil jetese. Gjyqet zhvilloheshin me ritëm të shpejtë, pa garantuar mbrojtje reale, ndërsa avokatët shpesh ishin më të frikësuar se vetë të pandehurit.

U ndëshkuan mijëra njerëz për “mosmarrëveshje morale me udhëheqjen”, për “mosangazhim me entuziazëm në jetën publike” apo për “cenim të pastërtisë kombëtare” – terma që tingëllojnë të zbrazët, por që mbushnin burgjet dhe internimet. Disa u mbyllën për vite me radhë në ishuj të largët si Ventotene, ku vetmia zëvendësoi çdo mundësi proteste.

Kjo është arsyeja pse 25 korriku nuk është thjesht data e rrëzimit të një lideri. Është përvjetori i parë që na detyron të shohim drejtësinë për atë që duhet të jetë – dhe për atë që, në kushte të caktuara, nuk është. Sepse kur gjykatat heshtin përpara padrejtësisë, kur ligji interpretohet sipas vullnetit të shumicës në pushtet, kur karriera juridike ndërtohet mbi heshtje ose shërbime të padeklaruara, atëherë jehonat e fashizmit nuk janë më të së kaluarës.

Sot, ndoshta nuk ka më këmisha të zeza në rrugë, por ka shumë gjykime që nuk thuhen me zë. Ka shumë vendime që zvarriten jo për mungesë prove, por për tepri interesash. Ka media që heshtin jo nga censura e shkruar, por nga frika e pasojës. Ka drejtësi që nuk arreston të fuqishmin, por e përdor vëmendjen e tij si garanci për imunitet. Ka qytetarë që dënohen për gabime procedurale, ndërsa të tjerë falen për krime strukturore.

Rënia e Duce-s erdhi si një fund, por la pas një paralajmërim. Aty ku drejtësia humb kurajën, aty ku gjykatësit bëhen zyrtarë të një partie të heshtur, aty ku propaganda ndërtohet mbi shifra dhe fasada, por kurrë mbi ndershmëri dhe transparencë, historia ka treguar se rrëzimi është thjesht çështje kohe. Dhe se më e rënda nuk është rënia e një njeriu, por rënia e shpresës te një sistem.

Në fund, fashizmi ra nga pesha e vetes. Por për të mos e përjetuar më – as në formë të ashpër, as në trajta të buta dhe të buzëqeshura – kujtesa historike duhet të jetë më e fortë se çdo mit i ri që përpiqet të ndërtohet mbi harresën. Dhe drejtësia duhet të jetë e verbër – jo ndaj të vërtetës, por ndaj emrave dhe fytyrave që kërkojnë ta zëvendësojnë atë.

Autori: Redaksia Juridike – Gazeta Antikorrupsion

(Me rastin e 82-vjetorit të rënies së Benito Mussolinit, reflektime për demokracinë dhe pushtetin.)