REPUBLIKA E VILAVE, BOMBA QË DUHET TË SHPËRTHEJË

Platformë për Hetim Kombëtar, Konfiskim Masiv dhe Shembje të Shtetit të Hajdutëve

 

Nga: Artur Mamadhaj – Ekspert i Lartë i Auditimit Publik

 

Prej më shumë se tre dekadash, në Shqipëri është ngritur një sistem paralel me shtetin ligjor, një rend i heshtur ku pushteti politik, ekonomik dhe administrativ është vënë në shërbim të vetes, jo të qytetarit. Ky sistem ka prodhuar jo institucione të forta, por pasuri të paligjshme. Jo transparencë, por vila luksoze. Jo drejtësi, por një klasë zyrtarësh të paprekshëm që e kanë trajtuar shtetin si ndërmarrje private. Kjo është Republika e Vilave – Shqipëria tjetër, ajo që nuk shfaqet në deklaratat zyrtare, por shihet në kodrat e bregdetit, në resortet pa leje, në pallatet pa tatim, në pasuritë që nuk justifikohen.

Kemi parë gjithçka, por drejtësi nuk kemi parë:

– Kryetarë bashkish që deklarojnë pasuri modeste, por kontrollojnë prona me vlerë milionëshe përmes të afërmve.
– Deputetë që përfitojnë toka publike, i ndërtojnë me para të pista dhe i legalizojnë me ligje të personalizuara.
– Drejtorë që firmosin tenderë për miqtë dhe shpërblehen me apartamente dhe vila në emër të fëmijëve të mitur.
– Gjykatës që legalizojnë abuzimin, prokurorë që mbyllin sytë dhe hetues që heshtin para luksit.

Pas çdo leje ndërtimi të dhënë në bregdet, pas çdo shpronësimi të dyshimtë, pas çdo tenderi të dhënë me “negocim pa shpallje”, fshihet një pasuri që nuk buron nga puna, por nga pushteti. Dhe ky pushtet ka prodhuar një kastë të pandëshkueshme që ka blerë heshtjen e institucioneve dhe frikën e qytetarëve.

 

KOHA PËR NDËRHYRJE RADIKALE KA ARDHUR

Askush nuk do ta pastrojë këtë vend nëse nuk ngrihet populli vetë. Prokuroritë kanë treguar se sillen me ashpërsi vetëm ndaj atyre që nuk kanë mbrojtje politike. SPAK-u, që duhej të ishte arma më e fortë ndaj korrupsionit, është kthyer në instrument selektiv, që e përdor hetimin për të shantazhuar, jo për të goditur. Arrestimet ndodhin vetëm kur bien në favor të skemës politike të radhës.

Ky është një sistem që nuk reformohet më. Ky është një sistem që duhet shembur.

 

KËRKESAT QË BURONJË NGA INTERESI PUBLIK DHE DREJTËSIA E VONUAR:

  1. Hetim Kombëtar i Pasurive të Padyshimta: Të ngrihet një trupë e posaçme që të kryejë hetim të plotë mbi çdo pronë të ndërtuar që nga viti 1991 në zonat e mbrojtura, në bregdet, në qendrat urbane dhe në zonat e shpronësuara. Ky hetim nuk duhet të jetë i mbyllur brenda strukturave të zakonshme shtetërore, por të ketë mbështetje dhe ekspertizë ndërkombëtare.
  2. Konfiskim i Menjëhershëm dhe i Pakthyeshëm: Çdo pasuri që nuk justifikohet me të ardhura reale duhet të konfiskohet menjëherë dhe t’i rikthehet publikut. Nuk mjafton ndëshkimi penal – duhet ndëshkim ekonomik. Pasuritë e vjedhura janë simboli i padrejtësisë dhe plagës që nuk mbyllet pa u hequr themeli.
  3. Ndalim i Emërimeve Politike dhe Hetim i Klientelizmit: Nuk mund të kemi drejtori tatimesh që drejtohen nga kushërinjtë e deputetëve. Nuk mund të kemi institucione publike që funksionojnë si shtëpi familjare. Çdo emërim i lidhur me politikën duhet të pezullohet deri në verifikimin e pasurisë dhe lidhjeve të interesit.
  4. Tribunal Publik për Pasurinë Publike: Kërkohet ngritja e një tribunali të posaçëm, të mbikëqyrur nga aktorë të pavarur vendas dhe ndërkombëtarë, me akses publik dhe transparencë të plotë. Ky tribunal do të trajtojë konfliktet mbi pronat e dyshimta publike, ndërhyrjet në zonat e mbrojtura dhe abuzimet në emër të “zhvillimit”.

 

Shqipëria nuk mund të jetë më një vend ku sundojnë mashtruesit me kostume dhe ku i ndershmi hesht nga frika.

Shqipëria nuk mund të funksionojë si një resort i privatizuar për politikanët, ndërkohë që për qytetarët nuk mbetet as prona, as pylli, as plazhi, as uji, as toka.

Ky nuk është vetëm një apel. Kjo është një platformë veprimi për shoqërinë civile, për median e pavarur, për qytetarët e zhgënjyer dhe për ata pak gjyqtarë dhe prokurorë që ende nuk kanë bërë kompromis me nderin.

 

Nëse nuk shpërthen kjo bombë – do të shpërthejnë varfëria, zemërimi dhe padrejtësia.
Dhe nuk do të ketë më kontroll, as pushtet, as propagandë që do ta ndalë një popull të lodhur, të poshtëruar dhe të tradhtuar.

 

Republika e Vilave do të shembet. Me hetim, me konfiskim, me përballje. Me ose pa bekimin e atyre që sot mbajnë drejtësinë peng.

Koha e zgjimit ka ardhur.