Në Shqipëri, drama e drejtësisë ka arritur aktin final. Qeverisë shqiptare, e cila ka kapur çdo institucion që duhet të garantonte ndarjen e pushteteve, nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të përmbyllë privatizimin e drejtësisë. Gjyqtarët dhe prokurorët nuk janë më individë të lirë, profesionistë të pavarur të ligjit — ata janë kthyer në funksionarë të rreshtuar, të shtrënguar nga frika, shantazhi dhe karriera që varet nga një telefonatë politike.

Asnjë gjyqtar dhe prokuror nuk mund të jetë më vetvetja në këtë sistem. Kush guxon të jetë i drejtë, largohet, përjashtohet, sulmohet publikisht, apo thjesht nuk ngjitet në karrierë. Drejtësia është kthyer në një minierë ku prodhohet vendim i porositur, jo në një tempull ku gjykohen të vërtetat.

Kërcënimet, presionet dhe veprimet e paligjshme që vijnë nga vetë pushteti politik ndaj qytetarëve të zakonshëm nuk ndëshkohen më. Madje, në mënyrë tragjike, ato mbrohen nga struktura që duhet të garantonin rendin juridik. Janë qindra rastet ku qytetarë të pambrojtur janë përplasur me sistemin, dhe megjithëse kanë të drejtë, humbin. Jo për fajin e tyre, por sepse janë përballë një sistemi që funksionon vetëm për të fuqishmit.

Prokurorët janë kthyer në ushtarë të bindur të qeverisë. Nuk veprojnë më në emër të popullit, por në emër të direktivave të padeklaruara të ekzekutivit. Sot në Shqipëri është bërë normë: nëse flet kundër qeverisë, të arrestojnë; nëse denoncon korrupsionin, të përndjekin; nëse kërkon të drejtën, të godasin.

Jeta dhe rehatia duket se janë privilegj ekskluziv i politikanëve. Ata janë të paprekshëm. Ndërkohë qytetari, në çdo hap që hedh, duhet të mendojë se mos shkel interesin e ndonjë klani. Sepse gjykata nuk është më kështjella e mbrojtjes së tij, por shpesh shndërrohet në vendin ku nënshkruhet dënimi i heshtur i padrejtësisë.

Në këtë realitet, reforma në drejtësi është kthyer në një paradhomë e diktatit politik. Dhe pikërisht për këtë arsye, privatizimi i gjykatave dhe prokurorive nuk është thjesht një metaforë — është një fakt i prekshëm, i dhimbshëm dhe i dokumentueshëm.

A mund të ketë shpresë në këtë vend? Po, vetëm nëse qytetarët nuk pranojnë të jenë spektatorë të robërisë së drejtësisë. Sepse drejtësia është pasuria e përbashkët e çdo shoqërie. Dhe kur ajo vidhet nga pushteti, është detyra e popullit ta kërkojë mbrapsht — me kurajo, me zë, dhe me përballje