Në valën e reformave që kanë përshkuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri pas vitit 2016, pak është thënë për një nga institucionet më anemike dhe më pak efektive në luftën kundër korrupsionit: Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, i njohur si ILDKPI. Kjo strukturë, e krijuar për të garantuar transparencë në jetën publike, është kthyer në një noter formal që certifikon deklarata pasurie pa asnjë fuqi reale për hetim apo ndëshkim.
1. Një model i izoluar që nuk funksionon
Ndryshe nga vendet perëndimore, ku funksioni i kontrollit të pasurisë është i integruar brenda strukturave të fuqishme si administrata tatimore, prokuroria apo agjencitë kundër korrupsionit, në Shqipëri ILDKPI operon si një ishull i izoluar. Në Francë, për shembull, funksionon Haute Autorité pour la Transparence de la Vie Publique, e cila bashkëpunon ngushtë me tatimet dhe ka akses të plotë në informacionin financiar. Në SHBA, është IRS dhe Prokuroria Federale që garantojnë kontrollin efektiv të pasurive përmes kompetencave hetimore dhe ndëshkuese. Në Gjermani, Italia apo Kroacia, funksionet e ILDKPI-së janë shpërndarë në organe me kapacitete reale për zbatim ligji.
Në Shqipëri, ILDKPI nuk ka akses automatik në të dhëna thelbësore si llogaritë bankare, bilancet familjare, transfertat ndërkombëtare apo asetet jashtë territorit. Kjo e bën çdo përpjekje për kontroll të pasurisë një procedurë formale, të mbështetur më tepër në vullnetin e deklaruesit sesa në kapacitetet hetimore të institucionit.
2. Pse ILDKPI ka dështuar?
Në vend që të funksionojë si një barrierë reale ndaj pasurimit të paligjshëm të zyrtarëve publikë, ILDKPI është shndërruar në një magazinë të deklaratave të paprovuara. Ky dështim nuk është vetëm i lidhur me mungesën e fuqive ligjore, por edhe me mungesën e vullnetit për ta bërë këtë institucion funksional. Në praktikë, ILDKPI ka vepruar më shumë si një strukturë e mbikëqyrur nga politika sesa si një mbrojtës i interesit publik.
You Might Also Like
Stafi i kufizuar dhe burimet minimale e kanë penguar gjithashtu që të zhvillojë analiza të thelluara ose hetime të pavarura. Kjo situatë ka prodhuar një kontroll të pasurisë që nuk është as transparent, as efektiv dhe as ndëshkues.
3. Rruga përpara: Ristrukturim ose shkrirje
Nëse Shqipëria synon me të vërtetë të forcojë luftën kundër korrupsionit në nivelet më të larta, atëherë ILDKPI duhet të shkrihet si institucion më vete dhe funksionet e saj të integrohen në strukturat që kanë kapacitet dhe vullnet për të hetuar: Drejtoria e Hetimit të Pasurive në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Ky integrim do të sillte disa përfitime të menjëhershme:
Eliminimin e mbivendosjes së kompetencave dhe formalizmit pa efekt;
Krijimin e një sistemi të unifikuar të kontrollit të pasurive, me akses të menjëhershëm në të dhënat tatimore dhe bankare;
Rritjen e ndëshkueshmërisë dhe uljen e tolerancës ndaj abuzimit me pasurinë publike;
Konsolidimin e besimit të publikut në luftën ndaj korrupsionit.
4. Koha për t’u zgjuar nga iluzioni
Reforma e drejtësisë nuk mund të jetë e plotë nëse pjesët më të dobëta të sistemit injorohen ose mbahen gjallë për arsye kozmetike. ILDKPI, në formën që ekziston sot, është simbol i këtij formalizmi pa përmbajtje. Kjo është arsyeja pse ristrukturimi i funksionit të kontrollit të pasurisë nuk është vetëm një nevojë teknike, por një domosdoshmëri për të kthyer besimin e qytetarëve në mekanizmat e shtetit ligjor.
Shqipëria nuk ka më luksin të tolerojë struktura që i bëjnë karshillëk efektivitetit në emër të formalitetit. Reforma duhet të jetë reale, e thellë dhe e pakthyeshme. Dhe kjo nis pikërisht nga ata që duhet të jenë shembull i integritetit publik: zyrtarët me pushtet, të cilët nuk duhet më të kenë luksin të pasurohen në errësirë.