“Avokatët – Viktima të Padukshme të Sistemit të Drejtësisë”

Në hijen e çdo vendimi gjyqësor që zvarritet, që vonohet, që dështojnë të zbatojnë, ndodhen avokatët – ata që përfaqësojnë, mbrojnë dhe ndërmjetësojnë drejtësinë për qytetarin. Por në Shqipëri, në vend që të jenë faktorë kyç në realizimin e drejtësisë, shumë avokatë janë bërë viktima të një sistemi të kalbur, të politizuar dhe të pafuqishëm për të garantuar funksionin e vet më të thjeshtë: të japë drejtësi në kohë.

Avolatët nuk protestojnë me pankarta. Ata heshtin nëpër korridoret e gjykatave, presin me orë e ditë që seancat të mbahen apo të mos shtyhen për arsye qesharake, ballafaqohen me gjyqtarë që mungojnë pa arsye, që shpallin vendime të paarsyetuara, që diktojnë fatin e klientëve pa respektuar provën dhe ligjin.

Në vend që të jenë garantë të lirisë, shumë avokatë shndërrohen në “përkthyes të padrejtësisë” – u shpjegojnë klientëve pse drejtësia nuk jepet, pse vendimet vonohen, pse procesi i tyre është kthyer në farsë. Në shumë raste, avokatët e ndershëm goditen dyfish – nga sistemi dhe nga klientët që humbasin besimin, duke mos kuptuar se nuk është mbrojtësi i tyre që dështoi, por një sistem që i ka prerë duart kujtdo që nuk është i lidhur me pushtetin.

Sot në Shqipëri, mungesa e mekanizmave efektivë për monitorimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, mungesa e përgjegjësisë për shtyrjet e pajustifikuara të seancave, për vendimet copy-paste dhe për vonesat në arsyetime, kanë krijuar një ambient ku avokati ndjehet më shumë peng, sesa palë në procesin gjyqësor.

Nuk është rastësi që shumë prej tyre janë lodhur, tërhequr ose heshtur. Të tjerë janë penalizuar padrejtësisht nga struktura të mbyllura disiplinore, vetëm pse kanë guxuar të kritikojnë vendimet ose të kërkojnë të drejtat procedurale të klientëve.

Në një vend ku drejtësia nuk është funksionale, avokati i ndershëm është objekti më i pambrojtur. Ai nuk ka asnjë mekanizëm për të paditur vonesën, për të kërkuar ndëshkim për abuzimin gjyqësor, për të kërkuar llogari nga gjykatat që punojnë me dy standarde. Avokati, në këtë realitet, nuk është më një aktor, por një viktimë sistemike.

Çfarë duhet bërë?

1.Të krijohet një mekanizëm i pavarur ankimor për rastet e zvarritjeve gjyqësore, ku edhe avokati të mund të depozitojë një ankesë efektive.

2.Të rritet transparenca e afateve të shqyrtimit dhe publikimit të vendimeve, me ndëshkime për shkelësit.

3.Të fuqizohet roli i dhomave të avokatisë, jo thjesht si organizma formale, por si mbrojtës të dinjitetit dhe rolit të avokatit në një shtet të së drejtës.

Sot, më shumë se kurrë, nuk është vetëm qytetari që është viktimë e drejtësisë, por edhe ai që përpiqet ta mbrojë – avokati. Nëse nuk mbrojmë avokatët e ndershëm, drejtësia do të mbetet një teatër i zbrazët, ku askush nuk fiton dhe të gjithë humbasin.