Kur Drejtësia Shtyhet Pafund – Por Askush Nuk Mban Përgjegjësi

Nga Kryeredaksia e “Gazetës Antikorrupsion”

Në gjykatat shqiptare po përforcohet një fenomen i shëmtuar, por i heshtur: avokati ndëshkohet kur mungon, por gjykata nuk ndëshkohet kurrë, edhe kur bën 10 herë radhazi që nuk zhvillon seancën. Kjo është fytyra e një drejtësie që, përtej fasadës së reformës, e shpërndan pabarazinë si rregull dhe e zbaton përgjegjësinë në mënyrë të njëanshme.

Sipas ligjit, një avokat që mungon në seancë pa shkak të arsyetuar rrezikon gjobë procedurale, madje edhe zëvendësim të detyruar. Por kur është vetë gjyqtari apo trupa që mungon, shpesh për “shkak të ngarkesës” apo “probleme organizative”, qytetari pret pa afat. Askush nuk jep llogari. Askush nuk ndëshkohet. Dhe askush nuk e quan këtë shkelje të të drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm.

A janë qytetarët skllevër të një sistemi që ndëshkon vetëm më të dobëtit?

Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptarë (SH.A.A.SH.) ka regjistruar me qindra raste të seancave të papërsëritshme që janë shtyrë nga vetë gjykatat, për mungesë të gjyqtarit, për mungesë të dosjes, për mungesë të daktilografit apo për mungesë të vullnetit.

Kjo nuk është më një anomali. Kjo është një krizë funksionale.

Ne i bëjmë thirrje:

  • Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ): Të nisë monitorimin e shtyrjeve të paarsyeshme dhe të publikojë statistika për gjyqtarët që shkelin afatet sistematikisht.
  • Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë (ILD): Të hetojë dhe të marrë masa disiplinore për sjellje joetike apo neglizhencë në përmbushjen e detyrës.
  • Ministrisë së Drejtësisë: Të propozojë një mekanizëm kompensimi për palët, kur proceset zvarriten nga neglizhenca e trupës gjykuese.

Sepse drejtësia që nuk zhvillohet, është një padrejtësi që dëmton besimin e qytetarëve më shumë se çdo akt korrupsioni.

Shoqata jonë do të vazhdojë të denoncojë këtë standard të dyfishtë dhe të kërkojë një drejtësi që vlen njësoj për të gjithë – edhe kur gjyqtari mungon.