
Nga Kryeredaksia | Gazeta Antikorrupsion
Pas më shumë se dy muaj hetimesh të thelluara, Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion në Shqipëri (SHAASH) i është drejtuar SPAK-ut me një kërkesë zyrtare për arrestimin e prokurorit Eni Çulli, i cili dyshohet se ka abuzuar me detyrën dhe ka vepruar në interes të lidhjeve private dhe korruptive.
Sipas SHAASH, Çulli ka ushtruar kompetenca përtej juridiksionit të tij ligjor, duke përfshirë raste ku është vënë në lëvizje për çështje që nuk i përkisnin zyrës së tij dhe në mungesë të çdo kompetence ligjore. Në dy raste të dokumentuara, tashmë pjesë e dosjes së referuar pranë SPAK-ut, ai akuzohet se ka ndërhyrë në mënyrë selektive në çështje penale për qëllime të dyshimta.
Një nga rastet më flagrante, sipas SHAASH, lidhet me futjen e një kallëzuesi femër në zyrën e prokurorisë jashtë orarit zyrtar, gjë që përbën një shkelje të etikës dhe procedurës zyrtare, dhe që është pranuar edhe gjatë seancave gjyqësore nga vetë prokurori. Më tej, ai akuzohet se, në bashkëpunim me një oficer policie gjyqësore, ka pushuar çështje penale të ndjeshme, duke u përdorur si mjet për të ndikuar në drejtësi.
Prokurori në fjalë, kur është përballur me kritikat publike, është shprehur se “nuk e çan kokën, sepse është mirë me SPAK-un”, një deklaratë që SHAASH e cilëson si skandaloze dhe përçmuese ndaj parimeve të drejtësisë dhe barazisë para ligjit.
SHAASH i referohet edhe rastit të njohur si “Operacioni Mezhgorani”, në të cilin, sipas analizës së tyre, njësi të prokurorisë janë vënë në lëvizje për interesa private dhe politike, duke krijuar precedentë të rrezikshëm për keqpërdorimin e institucionit të akuzës.
“Prej më shumë se dy muajsh kemi kërkuar të hulumtojmë vendimmarrjet e çuditshme të prokurorit Eni Çulli, i cili sillet si një ‘sherif’ i filmave Western, ku ligji është ai që vendos vetë dhe procedura nuk ka asnjë vlerë. Këto veprime përbëjnë rrezik të madh për shtetin e së drejtës dhe besimin e qytetarëve te drejtësia”, – thuhet në deklaratën e SHAASH.
Shoqata ka paralajmëruar se do të publikojë shumë shpejt provat e plota që do i paraqiten SPAK-ut, duke kërkuar masa të menjëhershme ndalimi dhe hetimi penal ndaj Eni Çullit. Në këtë kontekst, SHAASH thotë se drejtësia nuk mund të mbetet në duart e atyre që luajnë me fatin e qytetarëve për interesa personale.