Magjistër Shkëlqim Kokona

Sipas presidentit Regan, përfaqësues i liberal-demokracisë në politikën amerikane, problemi kryesor në një sistem liberal është qeveria dhe burimi i të keqes është qeveria.
Në të tilla kushte, i del detyrë gjithë sistemit dhe organeve të kontrollojnë dhe të korrigjojnë fenomenet negative që kanë të bëjnë me qeverisjen e vendit.

Situata në vendin tonë është kritike dhe alarmante, ku qeveria kontrollon gjithçka dhe korrupsioni dhe krimi i organizuar janë bërë një fenomen shkatërrues për vetë demokracinë, liritë dhe të drejtat e popullit.
Për të dalë nga kjo situatë, nevojiten reforma të mëdha politike dhe ligjore në fushën e ndërtimit të shtetit dhe të së drejtës.

Në fushën politike duhet një reformë dhe të realizohen zgjedhje të ndershme dhe të lira, si dhe të realizohet rotacioni politik tashmë i domosdoshëm për vetë fatet e vendit.
Nga pikëpamja e shtetndërtimit, të forcohet roli i organeve të gjurmimit të administratës për zbatimin sa më fort të parimit kushtetues “check and balance” ose rolit kontrollues të shtetit për parandalimin dhe goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Shqetësuese ishte deklarata e shefit të SPAK-ut se nga ana e ekzekutivit nuk kemi asnjë material ose kallëzim për afera ose raste korruptive.
Nga pikëpamja ligjore, të ndërhyhet me ligj që të gjitha organet e kontrollit financiar të shtetit të mos varen nga titullarët e ekzekutivit (ministrat), por nga Prokurori i Përgjithshëm dhe të gjitha rezultatet e kontrolleve të auditeve financiare t’i bëhen prezent organit të Prokurorisë.

Të ndërhyhet në ligjin organik të Kontrollit të Lartë të Shtetit që të gjithë auditimet t’i bëhen prezent organit të Prokurorisë dhe jo të vlerësohen më parë nga vetë organi që të bëhet pengesë dhe mbyllës i krimeve dhe korrupsionit në radhët e qeverisjes.

Të ndërhyhet në ligjin për Policinë e Shtetit, ku rezultatet e kontrolleve të agjencisë së kontrollit policor pranë Ministrisë së Brendshme t’i bëhen prezent Prokurorit, dhe kjo agjenci të ketë varësi të dyfishtë nga Ministri i Brendshëm dhe nga Prokurori i Përgjithshëm.

Të thellohet reforma në drejtësi duke bërë ndërhyrje kushtetuese dhe, mbështetur në realitetin e ri pas ndryshimeve të mëdha të procesit penal pas vitit 2017, të unifikohet posti i Ministrit të Drejtësisë dhe ai i Prokurorit të Përgjithshëm. Pra, të shkohet me sistemin amerikan.

Kjo do të forconte luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe do të shtonte pavarësinë e Ministrit të Drejtësisë nga ekzekutivi, si dhe përfshirjen e tij në pushtetin ekzekutiv dhe njëkohësisht gjyqësor, duke rritur efektivitetin në luftën kundër kriminalitetit dhe vetëkontrollin e vetë pushtetit gjyqësor.

Nga përvoja praktike dhjetëra vjeçare në sistemin e drejtësisë, rezulton se procesi penal në vendin tonë sot ndjehet i dobët në fazën e hetimit të krimeve.
Është kjo fazë e procesit penal që influencon në parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Për të forcuar fazën e hetimit të krimeve, duhet nga pikëpamja kushtetuese ose të ngrihet një organ i ri hetimor si Xhandarmëria franceze dhe Karabinieria italiane, ose organi i ri i Byrosë Kombëtare të Hetimit të reformohet duke u shtuar dhe gjashtë nëndegë të kësaj byroje në shkallë kombëtare me ndarje territoriale në gjashtë zona të vendit.

Byroja Kombëtare e Hetimit të mbulojë tërë territorin e Republikës dhe, me nëndegët e saj, të hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në rang bashkie dhe nëndegësh.
Kjo do të bënte që të zhvillohej një luftë e vërtetë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të tërë territorit, pasi policia zonale ka dalë jashtë loje dhe nuk mund të bëjë goditjen e këtij lloj kriminaliteti tashmë.

Në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm dhe atij të posaçëm të bëhet ndarja e gjyqtarëve të hetimeve paraprake me gjyqtarët e tjerë që gjykojnë çështjet në themel.
Kjo do të bëjë që gjyqtarët e hetimeve paraprake të specializohen më mirë dhe të njohin dhe kontrollojnë në mënyrë efektive hetimet e kryera nga Prokuroria.

Për krimet që dënohen në maksimum jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me burgim të përjetshëm, të futet juria në gjykimin e çështjes dhe problemin e fajësisë ta zgjidhë juria dhe jo gjyqtari profesionist.
Kjo të zgjidhet në juri relativisht të mjaftueshme me pesë anëtarë, të cilët të jenë juristë të zakonshëm me kontratë me Ministrin e Drejtësisë.

Futja e jurisë do e bëjë të realizueshme në praktikë mos ndërhyrjen dot të pushtetit politik në zgjidhjen e çështjeve konkrete dhe do të vërë në pozicion të plotë dhe eficient gjyqtarin profesionist, i cili do e ketë të drejtën e vetos mbi vendimet e jurisë në rast se ajo gabon në zgjidhjen e drejtë të fajësisë së autorit.
Konflikti ndërmjet jurisë dhe gjyqtarit profesionist të zgjidhet kryesisht menjëherë nga Gjykata e Apelit.

Në këto raste, Gjykata e Apelit të mos ketë të drejtë të përmbysë vendimmarrjen e jurisë, por të lërë detyra për Prokurorin për rishikimin e procesit.