Av. Adelina Hoxha

Grupi CEZ për një kohë të gjatë është përballur me probleme në Shqipëri, Bullgari, Turqi, Bosnje-Hercegovinë, Rumani dhe Poloni, që nga fillimi i investimeve të tij. Nevoja për arbitrazhin ndërkombëtar të investimeve në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve pritëse dhe investitorëve të huaj bazohet në shumë aspekte. Në disa vende nuk ka gjyqësor të pavarur dhe gjykatat vendase nuk mund të mbështeten për të ofruar një zgjidhje reale për investitorët e huaj. Në vende të tjera, vendimet e gjykatave të shtetit pritës shpesh ndikohen nga besnikëria ndaj interesave të shtetit ose janë joefikase për shkak të procesit të ngadaltë të gjykimit apo mosekzekutimit të vendimit. Është fakt se arbitrazhi ndërkombëtar i investimeve redukton ndjeshëm problemet që mund të lindin që shpesh prekin marrëdhëniet ndërmjet shteteve.

CEZ kundër Shqipërisë

Në çështjen e arbitrazhit CEZ kundër Shqipërisë, me Rregulla të Arbitrazhit të Komisionit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtën Ndërkombëtare të Tregtisë (UNCITRAL), objekti ishte një vendim i entit rregullator shqiptar që i hoqi licencën “CEZ Shpërndarje” sh.a. (shoqëria e shpërndarjes së energjisë, shumica e aksioneve të zotëruara nga CEZ dhe të tjerat të zotëruara nga shteti shqiptar).

Në vitin 2013, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) i hoqi licencën CEZ-it, që operonte në tregun shqiptar nga viti 2009, me arsyetimin se CEZ nuk kishte përmbushur detyrimet nga kontratat e importit të energjisë elektrike dhe investimet në përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Enti vendosi një administrator shtetëror në krye të kompanisë dhe CEZ humbi kontrollin mbi të. CEZ u përgjigj duke nisur procedurat e arbitrazhit kundër Shqipërisë. Në vitin 2013, CEZ filloi arbitrazhin ndërkombëtar kundër Shqipërisë në bazë të Traktatit të Kartës së Energjisë (ECT), i cili është ratifikuar nga Republika Çeke dhe Shqipëria dhe përcakton rregullat për mbrojtjen e investimeve ndërkombëtare në industrinë e energjisë.

CEZ kërkoi kompensim prej 200 milionë euro për dëmet e pretenduara bazuar në argumentin se Shqipëria nuk arriti të mbronte investimin e saj në kompaninë shqiptare të shpërndarjes së energjisë “CEZ Shpërndarje” sh.a. Konflikti midis CEZ dhe qeverisë shqiptare pati një ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet çeko-shqiptare dhe reputacionin e Shqipërisë në BE. Shteti çek është aksioneri në mazhorancë në Grupin CEZ, ndaj qeveria çeke sfidoi hapur hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare. Në një situatë të tillë, Republika Çeke ishte e përgatitur të bllokonte dhënien e statusit të vendit kandidat në BE për Shqipërinë.

Çështja e arbitrazhit mes CEZ dhe Shqipërisë u mbyll në vitin 2014 në bazë të një marrëveshjeje të arritur ku kompania do të merrte një shumë rreth 100 milionë euro që korrespondonte me investimin e saj fillestar. Në këtë drejtim, vlen të theksohet se zgjidhja për të cilën palët kanë rënë dakord në vitin 2014 nuk është e disponueshme për publikun. Ndërkohë, qeveria e re shqiptare e formuar me koalicionin PS-LSI vendosi në vitin 2014 të nisë një hetim për privatizimin e shpërndarësit të energjisë, një privatizim që shkaktoi edhe tensione të vazhdueshme politike brenda vendit.

CEZ kundër Bullgarisë

Veprimtaria e kompanisë energjetike CEZ në shtetin bullgar kishte hasur probleme serioze, pasi edhe rregullatori bullgar i energjisë nisi procedurat për heqjen e licencës së saj për të operuar në vend. Kjo ndodhi pasi rregullatori kishte ndërmarrë më parë masa për të ulur çmimin e energjisë elektrike.

Në fund të vitit 2014, autoriteti rregullator bullgar (Komisioni Shtetëror Rregullator i Energjisë dhe Ujit – SEWRC) mbylli procedurat për revokimin e licencës së shpërndarjes së energjisë të kompanisë CEZ. CEZ që operonte në tregun bullgar që nga viti 2004, paraqiti kërkesë për arbitrazh kundër Bullgarisë në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve në vitin 2016 (Çështja ICSID nr. ARB/16/24) sipas rregullave të Konventës së ICSID.

Kështu, CEZ nisi zyrtarisht procedurat e arbitrazhit ndërkombëtar të investimeve duke pretenduar se Bullgaria nuk ka respektuar dispozitat e mbrojtjes së investimeve të Traktatit të Kartës së Energjisë, Traktatit Bilateral të Investimeve (BIT) Çeki-Bullgari, si dhe angazhimet e marra me antarësimin në Bashkimin Evropian në vitin 2007. Edhe pse çështja e arbitrazhit është regjistruar në vitin 2016, tribunali i arbitrazhit me 3 arbitra u krijua në vitin 2019 dhe çështja është ende në pritje të gjykimit.

CEZ ka qenë në arbitrazh edhe për çështje të aktivitetit të saj në Bosnje-Hercegovinë në kuadër të projektit Gacko. Vështirësitë e hasura nga CEZ, veçanërisht në vendet e Ballkanit, duke shkaktuar një situatë kritike afatgjatë në tregun vendas të energjisë, e detyruan kompaninë të miratojë një strategji në vitin 2019 për shitjen e aseteve të saj në Bullgari, Rumani, Turqi dhe Poloni